Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Robert Lili, së bashku me drejtorin rajonal të AKU, Manush Kullolli kanë inspektuar nga afër produktet ushqimore që importohen përmes portit të Durrësit.

Sipas Lilit, në portin më të madh në vend kalon 60% e volumit të produkteve ushqimore në Shqipëri, prandaj dhe inspektimet e kontrollet e AKU-së funksionojnë me kohë të plotë, pavarësisht situatës së krijuar prej koronavirusit.

Drejtori Lili theksoi se krahasuar me një vit më parë, volumi i produkteve ushqimore të importuara është i njëjtë.

“Të gjitha pikat e inspektimit të AKU funksionojnë me kohë të plotë në të 7 pikat doganore të hyrjes së produkteve ushqimore në vendin tonë. Vazhdon importi i produkteve ushqimore dhe krahasimisht me të njëjtën periudhë të një viti më parë kemi të njëjtin volum produktesh. Produktet kontrollohen imtësisht nga inspektorët e AKU-së”,- tha drejtori Lili.

Gjatë ditëve të fundit, të shumta kanë qenë denoncimet e qytetarëve për abuzime me çmimet e produkteve ushqimore. Për këtë arsye, AKU ka ndërmarrë një sërë aksionesh në supermarket e farmaci, për të mos lejuar rritjen artificiale të çmimit të produkteve dhe garantuar sigurinë ushqimore.

“Nuk do të tolerojmë asnjë subjekt, operator të biznesit ushqimor, që abuzon me çmimet e produkteve ushqimore dhe të barnave. AKU, në të 12 drejtoritë rajonale është gjatë të gjithë kohës në punë, i fokusuar në objektivin primar, garantimin e sigurisë ushqimore”,- tha Lili.