Mbrojtja e të drejtave të punëtorëve ishte objekt i i mbledhjes së këshillit të Konfederatës së Sindikatave të Durrësit, me pjesëmarrës kryetarë organizatash sindikaliste të ndërmarrjeve të ndryshme. Sindikalistët në nivel qarku kanë ngritur zërin për mefshtësinë e qeverisë në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

Ata denoncuan mes të tjerave faktin që për 27 vite nuk është llogaritur ende minimumi jetik, burokracinë e administratës shtetërore dhe mbajtjen e kuadrove në punë mbi moshën e pensionit, duke lënë të rinjtë pa punë dhe duke u lënë si shteg punësimi rrugët e emigracionit.

Shqetësimet e sindikalistëve u përqëndruan edhe tek dhënia me qira dhe pa transparencën përkatëse të pyjeve dhe tokave bujqësore si dhe nje sërë problematikash të tjera që i ngriti Zija Alhysa, kryetar i Konfederatës së Sindikatave në Durrës.

Lidhur me gjendjen ne spitale, Alhysa tha se vetëm vitin e kaluar janë larguar 250 vetë nga personeli i spitaleve te Durrësit. Një ndër kërkesat ultimative të tyre ishin edhe marrja e masave të veçanta higjeno-sanitare në qytet, pasi me shkallën e ndotjes dhe mënyrën e tregtimit të ushqimeve dhe shpendëve jashtë standarteve, rrezikohemi nga epidemitë.

K.H.