Përmbyten sërish lagjet e Durrësit. Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar një situatë kaotike tek lagjja nr.18, afër stadiumit.

Pamjet filmike që sjell operatori i DurrësLajm dëshmojnë se uji ka arritur në disa centimetra, ndërkohë që automjetet e kanë të vështirë të qarkullojnë. Uji arrin deri në nivelin e trotuarit. Situata është edhe më e rëndë për kalimtarët, të cilëve u duhet të përveshin pantallonat e të heqin këpucët për të mundur të shkojnë në shtëpi. Tradicionalisht, lagjja nr.18 është përmbytur sa herë në qytet janë regjistruar sasi të konsiderueshme shiu.

Kjo është hera e tretë brenda pak ditësh që rrugët e qytetit bregdetar përmbyten. Ditën e hënë dhe të premte të javës së kaluar, në shumë rrugë gjendja ishte mjaft e rëndë, saqë dukej sikur Durrësi "notonte" në ujë.

Gjithë ditën e sotme, gjiri i Durrësit është pushtuar nga moti i keq, që do të vazhdojë edhe përgjatë ditës së nesërme.

Era e fortë dhe rebeshet e shiut kanë krijuar problematika edhe në portin më të madh në vend, duke pezulluar punën dhe duke shkaktuar anomali në udhëtimet e trageteve që lidhin portin e Durrësit me Barin dhe Ankonën.