Sizmologu i njohur grek, Eftimis Lekkas, thotë se lëkundjet e njëpasnjëshme të tërmetit që po shënohen ditët e fundit në rajon, nuk përbëjnë arsye për shqetësim. Në një intervistë për televizionin Klan, ai shprehet se është normale që të ketë periudha me veprimtari të lartë sizmike dhe më vonë me veprimtari më të ulët.

“Kjo nuk është diçka e çuditshme. Hulumtuam në këtë drejtim, mirëpo nuk nxorëm dot asnjë konkluzion. Është edhe ky një fenomen natyror që ndjek rregullat e veta. Mirëpo nuk rezulton asgjë që të themi se Ballkani dhe Italia apo Mesdheu Lindor ndodhen në një situatë të rrezikshme. Këtë nuk mund ta themi”.

Sizmologu Lekkas u gjend në Shqipëri që në momentin e parë të tërmetit të 26 Nëntorit. Ai thotë se tashmë aktiviteti sizmik po zhvillohet normalisht dhe sipas tij, kjo është diçka e mirë.

“Ka shumë pas tërmete dhe kjo është pozitive, sepse ç’tensionon aktivitetin sizmik. Mirëpo, në asnjë rast nuk mund të themi se nuk do të bëhet një tërmet i fuqishëm, kjo shkon përtej fuqive dhe njohurive tona. Megjithatë, fakti se kemi vazhdimisht pas tërmete, është në drejtimin e duhur. Tërmeti nuk është gjë tjetër veçse energji. Sa më shumë energji çlirohet, aq më pak mbetet. Kështu, zvogëlohet edhe mundësia që të bëhet një tërmet i madh. Sa më shumë kalon koha dhe vazhdojnë pas tërmetet, pakësohet edhe mundësia që të ndodhë një tërmet i fuqishëm”.

Por a ka zona të tjera në Shqipëri që rrezikohen nga një tërmet i fuqishëm?

“Këtë nuk mund ta themi. Sa herë që themi diçka, ndodh e kundërta. Nuk kemi ende njohuritë që të themi “ra tërmet në Durrës, tani do të bjerë në Sarandë apo diku gjetkë”. Kjo është mbi fuqitë tona. Natyra funksionon pa u kufizuar prej njeriut. Natyra na urdhëron, nuk e urdhërojmë”.

Sizmologu Eftimis Lekkas këtë fundjavë vjen sërish në Shqipëri, në krye të një ekipi me 20 inxhinierë grekë. Misioni do të shqyrtojë shkaqet e shembjes së godinave dhe do te paraqese konkluzionet tek qeveria shqiptare.