Hapësirat publike janë një ndër problemet më të mëdha urbanistike në Durrës. Mjaft rrugë të zaptuara nga tregtarët ambulantë, kanë qenë vështirë për t’u kontrolluar nga Policia Bashkiake.

Thuajse pas çdo aksioni policor, trotuaret mbusheshin sërish nga shitësit dhe tregtuesit ambulantë. Por duket se kjo situatë ka gjetur më në fund zgjidhje, e fillimi i 2018-s ka qenë i mbarë sa i përket kësaj problematike.

Kreu i ri i Policisë Bashkiake të Durrësit, Vasip Çopa, i cili është emëruar në këtë post në fundin e dhjetorit të vitit që lamë pas, po ndërmerr disa aksione për t’u rikthyer më në fund ‘oksigjenin’ e munguar hapësirave publike në qytet. Aksione që nuk mbeten thjesht në kuadrin e 3-4 ditëve, pasi prej dy javësh nuk ka dhe nuk do të ketë më asnjë lloj tolerimi.

Prej gati 15 ditësh, forcat e Policisë Bashkiake kanë ndërmarrë aksion për pastrimin e trotuareve nga shitësit ambulantë te lagja nr.12; më konkretisht te zona e tregut të fruta-perimeve, rrugicat përreth pallatit të sportit si dhe në zonën pranë ish-parkut sportiv dhe shkollës “Marie Kaçulini”.

(Si paraqitej gjendja më parë)

Kreu i Policisë Vasip Çopa, në një komunikim me “DurrësLajm”, pohon se faza e parë e aksionit është ndërmarrë në këtë zonë, që konsiderohet më problematikja në qytet, ku tashmë gjendja duket që është stabilizuar (shih fotot më poshtë). Ai thekson se do të vijojë me vendosmëri aksionet për lirimin e të gjitha hapësirave publike.

“Duke pasur ankesa të shumta përpara marrjes së detyrës, nga banorët edhe tregtarët që shesin brenda ambienteve të tregut, për zhurmat, kaosin dhe ndotjen që shkaktonin këta ambulantë, të cilët veç të tjerash, pengonin edhe lëvizjen e këmbësorëve, invalidëve apo nënave me karroca, vendosëm të mos ketë më asnjë tolerim dhe kontrollet do të jenë të përditshme për të monitoruar nga afër situatën”.

Me qëllimin parësor për të bërë gjëra të mira për Durrësin, Vasip Çopa bën me dije se ky aksion do të vazhdojë në të gjithë qytetin, hap pas hapi, me një plan masash, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, si dhe strukturat e tjera: me Ndërmarrjen e Pastrim-Gjelbërimit dhe IKMT-në.

Ditën e hënë më 29 janar, është planifikuar faza e dytë e aksionit që do të zhvillohet në vazhdim të lagjes nr. 12 drejt e nga tregu i sendeve të përdorura pranë Shërbimit Zjarrfikës, për të bërë të mundur lirimin e hapësirave publike nga tregtarë të ndryshëm që nuk janë me leje.

Ndërkohë ditën e sotme, kreu i Policisë Bashkiake ka qenë vetë në krye të aksionit që u zhvillua te zona pranë shkollës “Eftali Koçi” , për të liruar hapësirat nga tregtarët ambulantë të palicensuar, duke marrë shkas edhe nga ngjarja e dy ditëve më parë, ku u helmuan 5 nxënës nga ushqimet që kishin blerë te një kioskë aty pranë.

Ai thotë që më parë nuk ka pasur ankesa nga mësues apo prindër për situatën nëpër shkolla, ndërkohë që thekson se kanë një plan masash, dhe situata në shkolla do të monitorohet çdo ditë. “Në të ardhmen do të marrim masa që të tilla ngjarje që vënë në rrezik shëndetin e fëmijëve, mos të përsëriten më”.

Kreu i ri i Policisë Bashkiake, i cili vjen në këtë detyrë nga rradhët e Policisë së Shtetit, së bashku me zëvendësin e tij Sokol Fama, kanë qenë vetë në krye të aksioneve, duke dalë në terren për të kontrolluar situatën. Ai thotë që me mbështetje të kryetarit të bashkisë së Durrësit, po përgatisin një projekt-strukturë, pasi Policia Bashkiake ka nevojë për shtim personeli dhe mjete logjistike, për të përballuar më mirë dhe me eficencë objektivat e planit të tyre të ri të masave.

S.L.