Edhe qytetarët e Durrësit i janë drejtuar zyrës së aplikimit për të rinovuar kartat e reja të identitetit dhe pasaportat, pas skadimit të tyre në 6 mujorin e parë të vitit 2019.

"DurrësLajm" sjell pamje nga momente pune në zyrën pranë Ujësjellësit, ku procesi vijon pa probleme. Deri më tani qytetarët paraqiten në tre zona për të aplikuar ndërsa me shtimin e fluksit do të hapen edhe pika të tjera.

Të ndërgjegjësuar që pas skadimit të dokumentave identitifkuese, nuk mund të marrin asnjë shërbim në institucionet shtetërore apo të udhëtojnë jashtë kufijve, durrsakët kanë blerë kuponin e nevojshëm pranë postës për të vijuar më tej në zyrën e gjendjes civile.

Qytetarët durrsakë dhe jo vetëm, duhet të kenë parasysh që përpos kuponit, për të aplikuar duhet të kenë me vete edhe dokumentin e vjetër të identifikimit.

Më herët, edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj iu ka bërë thirrje qytetarëve që të kontrollojnë datën e skadimit të mjeteve identifikuese dhe të paraqiten pranë zyrave të gjendjes civile, të cilat do jenë në dispozicion për të informuar dhe ndihmuar qytetarët.