Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka njoftuar se të gjithë qytetarët shqiptarë të pajisur me viza amerikane që janë në prag të skadimit, do të duhet t’i rinovojnë ato në rrugë postare. Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, ambasada shpjegon se ky program është i vlefshëm vetëm për ata shtetas të cilët nuk janë dëbuar nga SHBA-ja dhe që nuk kanë të dhëna kriminale.

“Vera është gjithmonë një kohë e ngarkuar me udhëtime, prandaj dhe ju duhet të prisni më gjatë për një takim për vizë. Nëse viza juaj amerikane turistike e mëparshme skadon brenda 12 muajve të fundit, atëherë ju mund të kualifikoheni për programin tonë të rinovimit të vizës me postë.

Ky program është i hapur për njerëzit me viza ende të vlefshme ose të skaduara së fundmi, të cilët nuk janë dëbuar nga Shtetet e Bashkuara dhe që nuk kanë të dhëna kriminale.

Nëse i përmbushni kriteret, ju mund të anashkaloni qëndrimin në radhë për vizë! Përdorni programin tonë të rinovimit të vizës me postë! #PyetAnnën”, shkruhet në njoftimin e ambasadës.