*Policia nuk lejon asnjë të hyjë në plazh. Gjobiten rëndë shoferët nga policia e qarkullimit!

Asnjë prej autobusëve nga Kosova të cilët u nisën për të pushuar në plazhin më të madh të vendit, në Durrës, nuk janë lejuar të hyjnë në rrugën “Pavarësia” në vendet ku ata kanë patur vendqëndrimet e tyre. Burra, gra e fëmijë të vegjël u detyruan të zbresin në skajet e zonës së plazhit, që më pas të udhëtojnë me taksi drejt banesave apo hoteleve që kanë prenotuar ditë më parë.

Tek Ura e Dajlanit dhe në Plepa, policia e qarkullimit rrugor ngriti postblloqe, duke mos lejuar asnjë prej autobusëve të mbushur me pushues të hyjnë në plazh. Ata autobusë që tentuan të hynin, u gjobitën, ndërsa ky vendim i policisë së qarkullimit rrugor u zbatua vetëm për autobusët që mbërrijnë nga qytetet e ndryshme të Kosovës dhe jo të shteteve të tjera, të cilët nuk janë penguar të hyjnë në rrugën “Pavarësia”.

Pushuesit kanë treguar se në pikun e të nxehtit janë detyruar që për rreth 2 orë të sorrollaten nëpër rrugicat e plazhit për të gjetur një mundësi të mbërrinin në vendqëndrimet e tyre. Të shokuar janë të gjithë operatorët e biznesit në Durrës, por edhe banorët.

Nëse pushuesit nga Kosova nuk do të hyjnë në plazh, asnjë prej tyre nuk ka punë. Hotelet janë bosh në pjesën më të madhe, po ashtu edhe banesat që jepen me qira, shezlongët janë bosh në masë të madhe dhe e gjithë zona është në krizë.

K.H.