Teksa mes bashkisë së Durrësit dhe qeverisë shqiptare vijojnë bisedimet se çfarë do ndodhë me çështjen e depozitimit të plehrave, edhe këto të fundit vijojnë të pushtojnë qytetin bregdetar, pasi prej ditësh nuk pastrohen.

Siç duket edhe në videon që “DurrësLajm” sjell, mbetjet urbane kanë pushtuar trotuarin, fare pranë spitalit të Durrësit. Por lagjja nr.7 e qytetit nuk është e vetmja që po “noton” në plehra.

Një pjesë e madhe e kazanëve nëpër Durrës janë të tejmbushur me mbeturina, të cilat në shumë raste derdhen edhe në tokë. Madje edhe koshat mbrapa bashkisë.

E gjithë kjo situatë është krijuar pasi bashkia nuk ka fonde për të çuar mbetjet urbane drejt landfillit të Sharrës ashtu siç ishte premtuar më herët nga kryeministri Edi Rama pas mbylljes së atij në Porto Romano.

Nga ana tjetër, bashkia njoftoi sot në një reagim për mediat se i ka dërguar një shkresë zyrtare ministrisë së Financave për të financuar transportin e mbi 200 tonë mbetjesh që prodhohen çdo ditë nga Bashkia Durrës.

Kamionët e ngarkuar plot me plehra kanë përfunduar në afërsi të ish-fushës së plehrave në Porto Romano si dhe UAMD. Pasi janë hedhur njëherë aty plehrat, ato janë ringarkuar sërish në kamionë. Lidhur me këtë problem, përgjegjesi i sektorit të NShK Durrës Seran Krruci shprehet se kanë tentuar t’i dërgojnë në Sukth, por aty u kanë dalë banorët e zonës që nuk i kanë lejuar t’i shkarkojnë.

E ndërsa qytetarët durrsakë presin për një zgjidhje të kësaj problematike mjaft shqetësuese për ta, mbetjet urbane janë të bllokuara nëpër kamionë apo të derdhura buzë rrugës në zonën pranë kampusit të Universitetit “Aleksandër Moisiu”.

Një ditë më parë, “DurrësLajm” publikoi një artikull ku tregonte devijimin e projektit për grumbullimin e plehrave të Durrësit në landfillin e Tiranës  dhe krijimin e kësaj pike në Sukth.

Kjo bëri që banorët të ngriheshin në protestë edhe ditën e sotme për të mos lejuar që diçka e tillë të ndodhë.

G.D.