Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka reaguar lidhur me skenën e rëndë të publikuar në rrjete sociale, ku një 50-vjeçar në Durrës ka lidhur dhe tërheq pas makine një qen.

Tahiri shkruan në Facebook se kafsha është ai në timon ndërsa e vlerëson si të trishtë dhe neveritëse të gjithë ngjarjen.

“E trishtë dhe neveritëse! Kafsha është ai në timon, ata që heshtin dhe ata që kanë për detyrë të reagojnë e nuk e kanë bërë”, shkruan Tahiri, i cili është i apasionuar pas kafshëve, ku shpesh herë ai poston foto herë me qen dhe herë me kuaj.

Në lidhje me këtë ngjarje, më herët Policia Durrës njoftoi se ka proceduar penalisht shtetasin F. P., për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”  parashikuar nga neni 207/c paragrafi 2 si dhe nga shërbimet e Policisë të Qarkullimit Rrugor është vendosur masë administrative në bazë të dispozitave të Kodit Rrugor, sipas neneve 158, 182 dhe 139/14/5/8.