Sikur të mos mjaftonte koronavirusi dhe frika që ka sjellë tek qytetarët, banorët e Durrësit janë përballur me skena të frikshme sot teksa një i ri ka tentuar të vetëvritet duke u hedhur nga kati i tretë.

Në pamje, shihet se i riu është varur plotësisht jashtë dritares por dikush e mban nga brenda vetëm në këmbë. Të bërtitura, thirrje e më pas vijnë në ndihmë të tjerë njerëz që e tërheqin deri sa në fund e fusin brenda.

Dëshmitarët thanë për “BalkanWeb” se i riu thoshte se shikonte njerëz që donin ta vrisnin. “Bravo policia e Durrësit erdhi shpejt dhe e shpëtoi këtë çunin që donte me vra veten! Nuk e di çfarë probleme kishte! Por thoshte që shihte njerëz që donin me e vra!”, tha një qytetar.

Por si qëndron e vërteta?

Burime nga policia bënë me dije për “DurrësLajm” se i riu donte të thyente rregullin e të dilte jashtë, por e kishte mbyllur gruaja brenda, në mënyrë që të mos gjobitej.

Durimit të tij për të ndenjur mbyllur i kishte ardhur fundi dhe meqënëse gruaja nuk e lejonte të dilte, ai zgjodhi të dilte nga dritarja duke rrezikuar seriozisht jetën.

Gruaja lajmëroi policinë dhe menjëherë uniformat blu e ndihmuan për të mos rënë.

Pasi u shpëtua nga policia, ai tha se donte të hidhej se nuk rrinte dot më brenda.