Luljeta Kopliku, bashkëshortja e inxhinierit elektronik, Bashkim Kopliku ka folur për mediat duke zbuluar më shumë detaje për humbjen e madhe që pësoi familja me ndarjen nga jeta të 77-vjeçarit për shkak të Covid-19.

Ajo ka treguar për gazetaren e News 24, Klodjana Haxhiaj se ndodhet e vetëkarantinuar në shtëpi pasi është e prekur nga koronavirusi gjithashtu.

Bashkëshortja e ish-ministrit ka thënë se ata kanë komunikuar deri në momentin e fundit me të. Sipas familjarëve, Kopliku do të nisej për kurim më të specializuar drejt Italisë, por ka pasur vonesë të Charterit si dhe të ambulancës që do ta transportonte nga Durrësi drejt Rinasit.

“Deri në momentin e fundit ka komunikuar me familjarët e tij. Shkak i vdekjes mendohet se ka qenë mungesa e oksigjenit. Charteri pati vonesë. Edhe autoambulanca për ta transportuar nga Durrësi në Rinas e më pas drejt Breshias. Ambulanca është vonuar disa orë. Ambulanca ka shkuar në orën 16.00 në Durrës. Në momentin kur dy infermierë e morën me barrelë për ta futur në ambulancë e kanë marrë pa oksigjen. Vajza që kishte ardhur nga Gjermania iu kishte thënë se babai i saj kishte nevojë për bombul oksigjeni. Ai është transportuar me autoambulancë drejt Rinasit. Dhe kur ka hipur në Charter ka njoftuar djalin se pas pak do të zbriste në Itali. 30 minuta pasi ka hipur në Charter familjarët janë telefonuar dhe iu kanë thënë se ai kishte ndërruar jetë. Nga mesazhet sipas bashkëshortes ka dalë se ai u ka thënë se nuk po mbushej dot me oksigjen“, është shprehur gazetarja.