Partia Socialiste përkujtoi sot në Roskovec ish-deputetin e saj Fatmir Xhindi, i cili u vra 10 vjet më parë. Në ceremoninë ku veç deputetëve të zonës ishte i pranishëm dhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, kreu i grupit parlamentar të socialistëve Taulant Balla kujtoi një prej amaneteve politike të Xhindit.

"Një prej amaneteve politike të Fatmirit ishte se "Shqipëria nuk ka nevojë për beteja, por për bashkëpunim mes partive politike". Kolegët  kur kanë ardhur në Roskovec me 3 maj 2009, erdhëm me krahë të prerë sepse ishte larguar për arsye ende të panjohura  një prej njerëzve më të rëndësishëm të grupit parlamentar.Jam krenar për djalin e Fatmirit, Anduelin. Ne nuk e  kemi harruar detyrën. Një krim që goditi opozitën, por ne kurrësesi nuk ngritëm asnjëherë dorën dhe gishtin. Terësisht të keqardhur nga mosreagimi i institucioneve për ta zbardhur këtë çështje. Drejtësia e re që po lind do ta zbardhë këtë çështje dhe kushdo që ngriti dorë për deputetin e PS-së do të marrë dënimin e merituar."

Edhe djali i të ndjerit, tashmë deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Anduel Xhindi apeloi institucionet të zbardhin vrasjen.

"U bënë 10 vjet nga ndarja nga jeta e babait tim dhe drejtësia nuk e ka thënë fjalën e saj. Na mundon pyetja kush e vrau dhe pse e vrau Fatmirin?! Iu bëj thirrje institucioneve të drejtësisë të zbardhin ngjarjen që shpirti i tij të jetë në paqe dhe ne të jemi të qetë".