25/02/2021 - 18:26
2 muaj më pas, më 25 prill, shqiptarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur anëtarët e rinj të parlamentit dhe forcën politike apo koalicionin që do t’i qeverisë për 4 vitet e ardhshme.
Mbrëmjen e djeshme u dorëzuan në KQZ koalicionet, ndërsa më datë 8 mars pritet të zbardhen listat e kandidatëve për deputetë të partive politike dhe koalicioneve zgjedhore.
Për të kuptuar çfarë përkrahjeje gëzojnë partitë politike 2 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, “DurrësLajm” publikoi më datë 19 shkurt sondazhin online: Na ndajnë rreth 60 ditë nga data e zgjedhjeve, për kë do të votoni më 25 prill?
- PS
- PD
- LSI
- Parti të tjera
- Nuk do të votoj
Në sondazh morën pjesë 5984 votues, ndërkohë që vihet re se numri i atyre që deri më tani kanë zgjedhur të mos shkojnë në kutitë e votimit është i konsiderueshëm, 323 persona, ose 5% e pjesëmarrësve në sondazh.
Në të njëjtën kuotë, 6% qëndrojnë edhe partitë e tjera për të cilat kanë votuar 332 persona.
Ashtu si edhe 4 vite më parë, beteja do të përqendrohet mes 3 forcave kryesore politike, LSI, PD dhe PS.
Në foto: Rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2017 për qarkun Durrës, sipas KQZ
Në sondazhin online, partia e Monika Kryemadhit ka mbledhur 639 vota, ose 11%. E krahasuar me rezultatet e vitit 2017, kur LSI mblodhi 14.9% ose 21.941 vota që u përkthyen në 2 mandate, këtë herë Lëvizja Socialiste për Integrim ka regjistruar rënie me rreth 4 përqind, dhe në zgjedhjet e 25 prillit mund të nxjerrë vetëm një deputet në qarkun e Durrësit.
Duke vlerësuar faktin, se dega e LSI u krijua nga e para pas largimit prej saj të disa prej figurave me të cilat ajo është identifikuar ndër vite në Durrës, rezultati i sondazhit mund të konsiderohet i kënaqshëm.
Në vitin 2017, PS regjistroi rezultatin më të mirë të arritur ndonjëherë në qarkun Durrës, duke mbledhur 49.68% të votave ose rreth 73 mijë vota, të cilat u përkthyen në 8 mandate. Ky rezultat është përmbysur në sondazhin e tanishëm, pasi PS rezulton me rënie të ndjeshme, duke mbledhur vetëm 28% të votave, ose 4 mandate.
Nga ana tjetër, PD ka një rritje të theksuar duke mbledhur 50% të votave të pjesëmarrësve në sondazh. Krahasuar me vitin 2017, kur PD regjistroi rezultatin historik më të dobët të saj në qarkun e Durrësit dhe nxorri vetëm 4 deputetë, pas 4 vitesh duket se ka shtuar ndjeshëm elektoratin e saj. Sipas rezultatit të sondazhit online, PD në qarkun e Durrësit pritet të marrë 8 mandate.
I konsideruar për shumë vite me radhë si qark i djathtë, Durrësi regjistroi rezultatin historik në vitin 2005, kur PD në mazhoritar mundi 8 me 0 PS-në. Ndërsa 2017 regjistroi humbjen më të bujshme me vetëm rreth 43 mijë vota, ose 29,35%.
Nëse do t’i rikthehemi edhe njëherë sondazhit, përveç rënies së lehtë që ka pësuar LSI, ajo që tërheq vëmendjen është se PD ka këmbyer vendin me PS, pasi përqindja e votave që ka mbledhur selia blu është pak a shumë ajo që ka arritur Partia Socialiste në qarkun e Durrësit 4 vite më parë.
Dalja në media e përgjimeve të Dosjes 339, vuri një pikëpyetje të madhe mbi rezultatin real të procesit të votimit në qarkun e Durrësit në vitin 2017 dhe rezultati i sondazhit online mund të reflektojë disi pozicionet ku qëndrojnë të dyja forcat kryesore politike, pa ndikimin e të fortëve apo elementëve të inkriminuar në procesin zgjedhor.
M.B.
/portali DurresLajm/
