Autoriteti i Aviacionit Civil i ka kërkuar institucionit homolog në Itali që të marrë masa ndaj kompanive ajrore që ofrojnë shërbime në Tiranë.

Bëhet fjalë për dy kompanitë ajrore të licencuara nga pala italiane që operojnë në vendin tonë dhe që kanë një performancë negative sa i përket vonesave në fluturim si dhe anulimit të tyre.

Për këtë qëllim, Autoriteti i Aviacionit Civil ka depozituar edhe pranë Komisionit Evropian një informacion të detajuar lidhur me rastet kur kompanitë ajrore që kanë një veprimtari jo korrekte në respektim të të drejtave të qytetareve.

Në aeroportin “Nënë Tereza” kryesisht gjatë periudhës së sezonit turistik vonesat në fluturim drejt destinacionave të Italisë janë bërë shqetësuese, pasi kompanitë nuk kanë kapacitet për t’ju përgjigjur fluksit të pasagjerëve.

Nga ana tjetër janë me qindra rastet kur anulimet apo vonesat kanë shkaktuar edhe kosto, por kompanitë të cilat duhet t’ua kthejnë paratë qytetarëve. Vetëm gjatë vitit 2018 janë mbi 200 pasagjerë që kanë marrë 50 mijë euro nga kompanitë ajrore për shkak të vonesave.

Në bazë të rregullores evropiane për çdo vonesë mbi 3 orë apo anulim, pasagjeri duhet të kompensohet me 250 euro.

Ndaj në çdo rast të vonesës së fluturimit duhet të ruani biletën me qëllim plotësimin e procedurës për efekt kompensimi.

Sipas të dhënave nga Aviacioni Civil, pritet që në 2018-n në Evropë me rritjen e numrit të pasagjerëve në mbi 1 miliardë, të kapet edhe një rekord i ri ku vonesat e fluturimeve vetëm për shkak të kapacitetit aktual të menaxhimit të trafikut ajror të arrijë në 14.3 milion minuta, e barabartë me plot 27 vjet. /Vizion +/