Sot përkujtohet 21-vjetori i vrasjes së Heroit të Demokracisë Azem Hajdari.

Më 12 shtator të vitit 1998, u vra në Tiranë deputeti 35-vjeçar Azem Hajdari, ish-udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, që çoi në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e pluralizmit politik. E sot 21 vite më pas, në nderim të tij figura të shumta të politikës do mblidhen.

Kështu presidenti Ilir Meta, në përkujtim të Heroit të Demokracisë Azem Hajdari, do të vendosë sot, në orën 09:15, një kurorë me lule tek memoriali i tij.

Ndërsa në orën 9:00, nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, Kuvendi do të organizojë homazhe në varrin e ish-deputetit Azem Hajdari, ( Varrezat e Dëshmorëve) me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha grupeve parlamentare.

Bashkëlidhur axhenda e aktivitetit të ditës së nesërme për përkujtimin e Heroit të Demokracisë Azem Hajdari.

CEREMONIA E PËRKUJTIMIT TË HEROIT TË DEMOKRACISË AZEM HAJDARIT
12 Shtator 2019

10:00 CEREMONIA PËRKUJTIMORE PRANË MEMORIALIT

10:30 – Deklaratë e Kryetarit Basha për mediat në përfundim të ceremonisë

10:45 – VARREZAT E DËSHMORËVE

11:15 – 12.00 VIZITË NË FAMILJE

Azem Hajdari ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike, partia e parë opozitare në vend pas periudhës së diktaturës. Hajdari është nderuar me një sërë medaljesh presidenciale. Për vrasjen e tij janë hamendësuar motive nga më të ndryshme; politike, hakmarrje, rivalitete, grindje etj.