SPAK-ut i shtohet një prokurore, pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit konfirmoi në detyrë prokuroren Manjola Kajana, duke e çuar në 13 numrin e prokurorëve.

Në njoftimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit thuhet se u shqyrtua ankimimi i Komisionerit Publik, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e konfirmoi në detyrë një vit më parë.

“Gjatë parashtrimit të konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik u shpreh se aktet e administruara përmbushin nevojat e hetimit dhe bazuar në to, nuk provohet që subjekti i rivlerësimit, znj.Kajana, të ketë qenë në kushtet e konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të funksionit të magjistratit dhe po ashtu, denoncimet e ardhura në adresë të saj, nuk kanë gjetur asnjë mbështetje ligjore. Për këto arsye, Komisioneri Publik kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr.162, datë 19.06.2019 dhe konfirmimin në detyrë të subjektin të rivlerësimit”, thuhet në njoftim.

KPA sqaron se subjekti i rivlerësimit, Manjola Kajana deklaroi se gjatë këtij hetimi gjyqësor, nuk u evidentua asnjë indicie, qoftë edhe minimale, për përfshirje të saj në aktivitete të papajtueshme me detyrën e magjistratit dhe rrjedhimisht kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPA.