Banorët e Shijakut të cilët janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit nuk përfitojnë bonusin e qirasë për shkak të dokumentacionit ndërsa bashkia nuk i lë të qëndrojnë as në tendat që vetë qytetarët kanë krijuar me mjete rrethanore.

Qytetarëve iu duhet të përballen me policinë bashkiake të cilët synojnë t’i largojnë ata nga tendat e ngritura pranë pallateve të tyre. Prej dy muajsh qytetarët qëndrojnë aty duke u përpjekur të ruajnë dhe banesat e tyre nga vjedhjet e mundshme që kanë ndodhur si fenomen pas termetit.

Ata shprehen të shqetësuar pasi jo vetëm që u mungon zgjidhja, por vetë bashkia po ua bën edhe më të pamundur qëndrimin pavarësisht kushteve.

Disa qytetarë në mungesë të zgjidhjes nga ana e bashkisë, i janë rikthyer ambienteve pavarësisht se pallatet e tyre janë shpallur të pabanueshme. Ata shprehen të frikësuar gjithashtu për të dhënë intervistat pasi jo pak herë janë kritikuar nga administrata.