Ashtu si Spitali Rajonal edhe në Poliklinikën e Specialiteteve në Durrës, mjekët po përballen çdo ditë e më shumë me radhë të gjata si rezultat i fluksit të shtuar, të qytetarëve që presin me orë të gjata për të marrë shërbimin shëndetësor.

Prej vitesh, mungesa e mjekëve ka qenë problem i madh. Nga materniteti tek pediatria, kirurgë, kardiologë etj mungojnë në Spitalin Rajonal.

Thuajse të gjithë banorët e qytetit bregdetar dhe rrethinat e tij si Shijaku, Juba, Ishmi, Gjepalaj, Sukthi etj, vijnë për të marrë shërbimin mjekësor, duke krijuar radhë të gjata nëpër zyrat e mjekëve dhe korridoret e spitalit dhe poliklinikës. 

Si të mos mjaftonte dyndja e madhe e njerëzve, mungesa e mjekëve specialistë është evidente. Për sëmundjet e zemrës është vetëm një mjek në dispozicion ndërsa numri i pacientëve shkon deri në 200 në ditë që presin të vizitohen.

E njëjta situatë është parë tek eko e thjeshtë. tek okulisti, psikiatri etj. Personeli i Poliklinikës Qëndrore të Specialiteteve pohon se shkak për radhët e gjata është bërë mungesa e stafit, i cili është i reduktuar si dhe personat që marrin shërbimin shëndetësor për t'u pajisur me patentë.

Por radhëve të gjata i shtohen edhe qytetarët që fillojnë punë të re apo rinovojnë dokumentat dhe duhet të kryejnë vizitat mjekësore për të marrë konfirmimin e mjekut për gjendjen e tyre shëndetësore.

Spitali Rajonal Durrës kërkon të punësojë për plotësim vende vakante mjekë, si më poshtë:

Mjek obstetër gjinekolog

Mjekë pediatër & mjek pediatër neonatolog

Mjek hematolog

Mjek kirurg i përgjithshëm

Mjek urgjence

Mjek pneumolog.

Afati i dorëzimit të dokumenteve deri më 10 dhjetor 2018, në Sektorin e Burimeve Njerëzore të SRD, nga ora 14.00 deri 16.00.

K.H.