Sot në stadiumin “Arena Kombëtare” po kryhet vaksinimi i stafeve të urgjencës kombëtare dhe vaksinimi me dozat e dyta të stafeve të QSUT-së dhe disa spitaleve bashkiake.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër vaksinimin e personelit shëndetësor në Qendrën e Vaksinimin në Stadiumin “Air Albania”.

Manastirliu theksoi se po intesifikohen ritmet e vaksinimit, me qëllim përmbylljen sa më parë të vaksinimit për bluzat e bardha.

 “Sot po vaksinohen në Arenën Kombëtare më shumë se 500 mjekë dhe infermierë të Urgjencës Kombëtare, mjekë të familjes, të Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, të disa spitaleve rajonale e bashkiake. Vijon vaksinimi jo vetëm në Arenën kombëtare, por gjithashtu edhe në polet e vaksinimit që ne kemi hapur në qyete të ndryshme siç është Shkodra, Vlora, dhe së shpejti Berati si edhe Korça.

 Kemi ambicien për të përfunduar vaksinimin qoftë të mjekëve dhe infermierëve të spitaleve, ata që janë në linjën e parë, por gjithashtu  edhe për të vijuar në mënyrë instesive dhe për të përfunduar sa më shpejtë vaksinimin e mjekëve të familjes dhe të infermierëve kudo në sistemin tonë shëndetësor”– tha Manastirliu.

Duke i konsideruar si prioritet, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se, sipas planit të vaksinimit do të vijojë edhe vaksinimi për të moshuarit mbi 80 vjeç, me planifikim nga mjekët e familjes.

Prioriteti ynë sipas planit të vaksinimit janë edhe të moshuarit mbi 80 vjeç me fasha të ndara sipas grupmoshës por edhe sipas sëmunshmërisë. Ndaj, ashtu sikurse kemi filluar për vaksinimin e 80  vjeçarëve të dielën, ashtu do të vijojmë për të vaksinuar sipas të gjithë atyre indikacioneve që mjeku i familjes jep. Dhe do të jetë pikërisht mjeku i familjes, i cili do të lajmërojë të gjithë të moshuarit mbi 80 vjeç, sipas fashave dhe udhëzuesve të Insitutit të Shëndetit Publik”, theksoi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë theksoi se procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga një ekip i trajnuar. Deri tani janë vaksinuar 5612 mjekë dhe infermierë me dozën e parë, ndërsa 655 personel shëndetësor i kanë marrë të dy dozat e vaksinës. Gjithashtu janë vaksinuar 461 të moshuar dhe staf që kujdeset për ta. Që nga fillimi i vaksinimit janë kryer në total 6728 vaksina antiCOVID-19, ndërsa sot pritet të kryhen rreth 1,000 vaksina në të gjithë vendin.