Protesta e studentëve të Universiteteve Publike kundër vendosjes së tarifave për provimet e mbartura është shtrirë në disa qytete të vendit.

Studentët e Universitetit "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan kanë bojkotuar mësimin dhe u kanë bërë thirrje të gjithë studenteve të dalin në protestë.

Me pankartat "Dilni në shesh, jo në dritare", "S'jemi monedha, jemi studentë", qindra studentë kanë marshuar drejt Universitetit të Elbasanit.

"Nuk jemi vetëm për kreditet por këtu jemi edhe për përmirësimin e arsimit në Universite, jemi për përmirësimin e kushteve, jemi për lehtësirën e tarifave. Sepse me këto tarifa nuk ia dalim dot!", tha një student i Universitetit të Elbasanit.