Studentët kanë kundërshtuar vendimet e Rektoratit të Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi", i cili  kishte vendosur që sot të zhvillohej mësim.

Ata në shenjë proteste vendosën të bllokojnë me karrige derën hyrëse të universitetit duke mos lejuar që të zhvillohet procesi mësimor.

Të shumtë në numër, studentët e Shkodrës janë shprehur të vendosur për të vijuar bojkotin e mësimit duke përçuar mesazhin se nuk janë dakord me "Paktin për Universitetin".

Ata kanë pasur një përballje edhe me rektorin Adem Bekteshi, ku i kanë kërkuar llogari se pse ka fikur kaldajat për studentët që kanë qenë në ngujim.

Rektori: Kaldaja është e prishur.

Studentja: Të na kishe thënë që në fillim që është e prishur, jo tani në fund.

Studenti: Nëse është e prishur duhet të kishe rregulluar.

Rektori: Kanë shkuar ta rregullojnë.

Studenti: Shkuan tani ëë?

Studentja: Pasi shkuam nëpër spitale si të marrin ftohje të rëndë?

Studenti: Mos e merr personale, pse e merr barrën mbi supe?

Rektori: Me hap se i keni bllokuar zyrat e Universitetit.

Studentja: Do ti hapim kur ti vërtetojmë të gjitha, sa i pastër je ti, çfarë Doktorature ke ti. Tenderi i ri, ku kanë shkuar lekët? Të gjitha kanë me u vërtetu, kush student është me parti, kush student shtyhet, kush student është pagu. Të gjitha do të dalin duke filluar nga unë.