Studentët i janë rikthyer sërish protestave pas më shumë se një viti shkëputjeje.

Ditën e sotme, ata kanë bojkotuar mësimin dhe janë mbledhur para Universitetit Politeknik të Tiranës për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.

Siç pretendojnë studentët, kërkesat janë ato të 2 viteve më parë, pasi premtimet nuk janë mbajtur. Ata kërkojnë uljen e tarifave, përmirësimin e kushteve të konvikteve.

“Pedagogët na kanë mbështetur, por frika se gjithçka do të përfundojë si para 2 viteve ka bërë që disa nga studentët të tërhiqen“, thotë një student.

Studentët janë të fakulteteve të ndryshme, me protestën që pritet të vazhdojë edhe për ditë të tjera. Sipas studentëve janë mbyllur dyert e universiteteve që shokët e tyre të mos marrin pjesë në protestë.