Njësia administrative e Sukthit ka përfituar një investim mjaft të rëndësishëm këtë vit. Bëhet fjalë për rikonstruksionin e ujësjellësit, Sektori Qendër, investim i cili përfundoi në shkurt të këtij viti. Ky ishte një ivestim që u realizua me  fonde të qeverisë shqiptare me vlerë 80 milionë lekë të rinj dhe në përfundim të tij ka përfituar një zonë me popullsi prej rreth 2200 banorësh dhe 100 subjekte private dhe publike. Ndërkohë që deri në fund të muajit gusht të këtij viti, Ujësjellës Kanalizime Durrës do të përfundojë instalimin e matësve në të gjithë sektorin qendër ku është kryer investimi.

Për të parë punimet në terren të instalimit të matësve të ujit kanë qenë kreu i UKD Spartak Kovaçi, ministrja e Transportit dhe Infrastrukturës Belinda Balluku si dhe drejtori i përgjithshëm i AKUM Alqi Bllako. Drejtori i Ujësjellës Kanalizime Durrës është shprehur se kjo zonë ka qenë mjaft problematike përsa i përket furnizimit me ujë, ndërkohë që edhe faturimi ka qenë mjaft i ulët. Me instalimin e matësve të ujit synojmë ndryshim rrënjësor, pasi zona do të ketë furnizim 24 orë si përmirësim të cilësisë së ujit të pijshëm. 

Në sajë të këtij investimi është bërë i mundur ndërtimi i një linje të re furnizimi duke garantuar 24 orë ujë si dhe kemi përmirësim të cilësisë dhe sasisë së ujit për frymë sipas normës evropiane me 150 litër ujë për frymë. Zona furnizohet me ujë në sajë të një pike lidhje që është realizuar në tubacionin 700 mm që vjen nga nga stacioni i Fushë Kuqes. Investimi është shtrirë në të dy anët e rrugës Sukth-Hamallaj në zonën që nis nga lagja 6 Vadardhë deri në lagjen 2 Vadardhë dhe është faza e parë e tij.

Faza e dytë

Në fazën e dytë është parashikuar një fond tjetër, po nga buxheti i shtetit, me vlerë 102 milion lekë të reja dhe që do shtrihet në të gjithë lagjen nr. 1 Vadardhë me popullsi 3900 banorë, ndërkohë që këtu janë evidentuar edhe rreth 100 subjekte të ndryshme që do të përfitojnë. Ky investim nis në shtator të këtij viti dhe do të përfundojë në muajin mars të vitit të ardhshëm. Faza e dytë e këtij investimi do të jetë me të njëjtat parametra, pra garantim të furnizimit 24 orë dhe rritje e cilësisë, eliminim i lidhjeve të paligjshme dhe ndotjes që shkaktohej nga rrjeti i amortizuar. Firma që do të kryejë punimet, do të realizojë edhe instalimin e matësve në përfundim të tij. Me mbylljen e këtij investimi, e gjithë zona e njësisë administrative Sukth është e mbuluar tërësisht nga investimet në sektorin e ujit duke mos patur më probleme të tilla. Projekti parashikon që furnizimi me ujë i kësaj zone të kryhet nga një pikë e vetme dhe jo nga tre siç ka qenë më parë për të shmangur abuzimet me ujin e pijshëm.