Qiratë e banesave janë rritur në Durrës pas tërmetit të 26 nëntorit. Familjet që ju janë dëmtuar shtëpitë si pasojë e lëkundjes sizmike janë duke kërkuar banesë me qira, ndërsa një pjesë tjetër e kanë gjetur atë, pavarësisht çmimit që u është ofruar.

Banorët thonë se në kushtet kur shtëpitë e tyre janë kthyer në të pabanueshme janë të detyruar të gjejnë banesa me qira, pavarësisht se bashkia ende nuk e ka shpërndarë fondin e përcaktuar. Një banor në lagjen nr. 18 na tha se e mori shtëpinë për të strehuar familjen me 25 mijë lekë të reja në muaj. Ai i ka bërë apel bashkisë të zhbllokojë fondin e qirave për këto familje. Të tjerë banorë qëndrojnë me frikë në katet e sipërm të apartamenteve, pasi dëmtimi i kateve të parë e të dytë është evident. Pasojat e pastërmetit të 26 nëntorit në Durrës janë dramatike në këtë prag dimri për mijëra banorë.

Një pjesë e qytetarëve janë strehuar nëpër hotele, një pjesë tek të afërmit, e ndërsa një pjesë tjetër po ikin nga Durrësi drejt qyteteve të tjera. Pallatet e tyre janë inspektuar nga grupet e inxhinierëve, por akt konstatimet e dhëna kanë kontradikta me gjendjen reale.

Një ditë më parë, Këshilli Bashkiak miratoi projektvendimin e krijimit të strukturës së përkohshme prej 100 vetash specialistë ndërtimi me afat tre mujor, pranë Ndërrmarrjes “Rruga”, me qëllim rikonstruksionin e objekteve të banimit, të ndërtuara para viteve 1993 dhe të dëmtuara nga tërmeti. 

Në këtë mënyrë, bashkia ka marrë përsipër të rikonstruktojë pallatet e vjetër, të ndërtuar para vitit 1993, të cilët kanë dëmtime kryesisht në katet e para e të dyta, ndërsa pallatet e reja kanë dëmtime në të githë katet, kryesisht në fasada, në muret e brendshme e shkallë. Kryeministri tha para pak ditësh se pallatet e rinj duhet të rikonstruktohen nga ndërtuesit, që jua kanë shitur banorëve.

Këshilli Bashkiak miratoi edhe listën paraprake të familjeve që përfitojnë bonusin e qerasë për një vit, pasi banesat e tyre kanë dalë jashtë funksioni ose janë shembur. Numri i familjeve që përfitojnë ka shkuar deri në 1310 deri tani, ndërsa kërkesat për të përfituar bonusin e qirasë janë shumë të larta në bashkinë e Durrësit, e cila u godit shumë rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.

K.H.