Mungesa e ndriçimit publik në rrugët e qytetit të Durrësit është kthyer në nxitës të ngacmimeve seksuale dhe grabitjeve. Një pyetësor i zhvilluar së fundmi zbuloi përmes raportimit të të rinjve se nga mungesa e ndriçimit të rrugëve ata ose të afërm të tyre janë përballur me ngacmime seksuale, sulme apo grabitje.

Të rinjtë pohuan se ata ose të afërm të tyre kanë rënë pre e ngacmimit seksual. 45.2% janë shprehur se kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së ndriçimit, 48.5% për shkak të pranisë në zonë të individëve problematikë dhe vetëm 6.3% janë shprehur se kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrollit policor në zonë.

Pyetësori mblodhi të dhëna me qëllim vlerësimin e sigurisë publike në zonën e stadiumit, duke ju drejtuar përmes formës elektronike në internet nxënësve të 4 gjimnazeve të zonës. Pyetësori u plotësua nga të rinjtë e gjimnazeve “Leonik Tomeo”, “Bernardina Qeraxhia”, “Naim Frashëri” dhe  shkollës së mesme teknologjike “Hysen Çela”.

“Unë jam rritur këtu dhe përgjatë fëmijërisë sonë jemi përballur me mungesën e ndriçimit. Kemi pasur gjithmonë pasiguri dhe frikë nga mungesa e dritave në rrugë, sidomos natën”, rrëfen Anxhela Shehi, që studion për psikologji.

17% e të rinjve që u përgjigjën kanë rënë pre e grabitjes në zonën ku banojnë, zbuloi pyetësori që u zhvillua në kuadër të projektit “Qytete të sigurta për gratë dhe vajzat”, që mbështetet nga Lëviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

“Shumica dërrmuese është e mendimit se ndriçimi i rrugëve është pak ose aspak i mjaftueshëm. Pothuajse pak më pak se gjysma shprehen se ngacmime me sfond seksual apo grabitje ndodhin për këtë shkak”, shpjegon Rubin Begeja, sociologu që në kuadër të projektit analizoi rezultatet e pyetësorit.

Frika nga ngacmimet seksuale apo grabitjet ul pavarësinë e banorëve të zonës, sidomos të vajzave dhe grave. 17% e personave të anketuar u shprehën se përherë kanë ndier nevojën e një personi shoqërues kur lëvizin në zonë. 46% pohuan se kanë pasur nevojë ndonjëherë dhe 37% asnjëherë.

“Në mbrëmje gjithmonë na shoqëron një familjar. Ose kur dal me shoqet përcjellim njëra-tjetrën sepse është e rrezikshme të lëvizësh vetëm në rrugët e errëta të lagjes”, tregon 24-vjeçarja Anxhela Shehi, që banon në lagjen numër 12.

Nga përgjigjet e të rinjve rezultoi se në vetëm 6% të rasteve ngacmimet seksuale janë raportuar në polici dhe në 94% të rasteve nuk janë raportuar. Rubin Begeja analizon se, “Vihet re që njoftimi në organet e rendit si në rastet e ngacmimeve ashtu edhe të grabitjeve mbetet në nivele shumë të ulëta”.

Në kuadër të projektit “Qytete të sigurta për gratë dhe vajzat”, që drejtohet nga banorja Livia Kreko, janë zhvilluar disa takime me komunitetet e lagjes numër 12 dhe 18 në qytetin e Durrësit, duke prezantuar rezultatet e anketimit dhe mbledhur prej tyre përjetimet që kanë pasur banorët si rrjedhojë e mungesës së ndriçimit në rrugë.

Mungesa e ndriçimit gjatë orëve të natës haset edhe në shumë lagje të tjera të Durrësit, ku shpesh herë shtyllat e ndriçuesve nuk mungojnë, por janë amortizuar llambat ose nuk janë zëvendësuar në rastet kur janë dëmtuar apo kanë pushuar së funksionuari.

Në zonën pranë stadiumit të qytetit jeton një numër i lartë i popullsisë. Rajoni 3 sipas përllogaritjeve zyrtare të Bashkisë Durrës përfshin 3 lagje, ndër to ajo 12 dhe numëron 27.650 banorë. Ndërsa Rajoni numër 4 përfshin 3 lagje, ndër to lagja 18, që në total numërojnë një popullsi prej 53.312 banorësh.

Prania e 4 gjimnazeve, kopshteve dhe shkollave 9 vjeçare rrit mundësinë e abuzimit me të miturit. Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 një pjesë e nxënësve të shkollave të dëmtuara e zhvillonin mësimin me 2 turne në gjimnazet pranë stadiumit, duke u kthyer nga mësimi përgjatë mbrëmjes.

Nga të dhënat e pyetësorit rezultoi se pyetjes se a është i mjaftueshëm ndriçimi në rrugët rreth shkollës, 30% e të anketuarve u shprehen se është i mjaftueshëm dhe 70% pohuan se është pak ose aspak i mjaftueshëm (41% pak dhe 29% aspak).

Më tej të rinjtë pyetjes se a mendojnë se mungesa e ndriçimit bëhet shkak i ngacmimeve të ndryshme, në 86% nxënësit i janë përgjigjur pozitivisht dhe në 14% i janë përgjigjur negativisht.

Të rinjtë dhe komuniteti i zonës shpreson ta adresojë problemin përmes një peticioni drejtuar Bashkisë Durrës, që ka përgjegjësinë e mirëmbajtjes së ndriçimit publik të rrugëve. 79% e të anketuarve mendojnë se adresimi i problemit me anë të një peticioni do të sjellë zgjidhje dhe përmirësim të situatës.

Në kuadër të projektit “Qytete të sigurta për gratë dhe vajzat” përgjatë muajit korrik do të nis nënshkrimi i një peticioni nga komuniteti drejtuar Bashkisë Durrës, për realizimin e investimeve të menjëhershme për përmirësimin e sistemit të ndriçimit publik në rrugët si, “Abaz Çelkupa”, “Hysen Kërtusha” dhe “Mujo Ulqinaku”.

Autor: Geri Emiri/ “Amfora Production”