Paga e luftës ka mbledhur pranë drejtorisë së Tatim Taksave mesditën e sotme reth 100 punonjëse të fasonerisë “The Star” në Durrës.

Ato kërkojnë pagën e luftës prej 40 mijë lekësh, ashtu siç ju është premtuar nga kryeministri Edi Rama pasi nuk kanë punuar për shkak të pandemisë.

Punonjëset thonë se firma ju ka paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore si dhe ju ka dhënë pagën minimale, por ato shprehen se kjo pagë është e pamjaftueshme për të mbajtur familjen.

“Duam të dimë pse ne nuk e përfitojmë pagën e luftës në të njëjtën kohë që ne kemi ndenjur në shtëpi. Kemi tre muaj me 100 mijë lekë. Këtu thonë nuk të takon, zgjidhe me pronaren, pronarja thotë ju kam paguar siguracionet nuk aplikoj dot, zoti Rama thotë kush ka ndjenjur në shtëpi do ta marrë. Duam një përgjigje, pse mos ta marrim. Kemi lënë fëmijët vetëm dhe po vijmë në punë në këmbë. As transport as asgjë, po bëjnë punëtoret 1 orë e gjysmë rrugë në këmbë”, thotë një punonjëse.

Gratë paralajmërojnë se nuk do të ndalojnë derisa të përfitojnë të drejtën që ju takon sipas tyre dhe nëse do ju duhet të futen në grevë për një muaj.

“Ne do vazhdojmë grevën, derisa t’i marrim ato (lekët e pagës së luftës). Ligji është për të gjithë dhe ne na takojnë”, thotë një tjetër.

Kujtojmë që mëngjesin e sotëm, rreth 70 gra të një fasonerie tjetër në Durrës, bllokuan hyrjen e drejtorisë së Tatimeve pasi protestonin për pagën e luftës.

G.D.