Qeveria ka vendosur që të shkrijë disa nga policitë bashkiake në bashki që drejtohen nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Vendimi është bërë i ditur nga Sandër Lleshaj, ministër i Brendshëm, i cili akuzoi policitë bashkiake se kanë dalë kundër misionit të tyre dhe janë kthyer në rrezik publik.

“Qeveria do të marrë masa të menjëhershme që në pajtim me ligjin të shkrijë disa struktura të policisë bashkiake, që janë shndërruar në rrezik publik. Askush nuk do të tolerohet”, u shpreh Lleshaj në konferencë.

Sa i përket përplasjeve në shumë KZAZ në mbarë vendin, Lleshaj paralajmëroi se protestuesit do të ndëshkohen me të gjithë forcën e ligjit.

“Policia po provokohet dhe po sulmohet në mënyrë të organizuar, po përgjigjet dhe do të përbgjigjet me vendosmëri deri në fund. Kryesisht punonjës bashkish po gabojnë rëndë duke u përdorur si mish për top nga drejtuesit e bashkive dhe udhëheqësit dritë shkurtër të këtyre të fundit në Tiranë. I bëj thirrje të mos kryejnë krime elektorale të dënueshme nga kodi penal”, tha Lleshaj.