Barba Bala, një prej banorëvë autoktonë të Himarës, që së bashku me 4 djemtë e tij u zhvendosën nga Himara në Jalë në 1990-n, në një intervistë për gazetaren tonë pak ditë më parë, paralajmëroi “luftë” me institucionet për shkak se duan t’iu tjetërsojnë pronat.

Dhe në fakt, duket se ‘lufta’ ka nisur, pasi mëngjesin e kësaj të marte, aksioni i IKMT-së në zonën e Jalës për prishjen e disa ndërtimeve të cilat pretendohet se janë pa leje dhe në tokë shtetërore, është shoqëruar me tensione dhe konfrontime.

Barba Bala tha se në vitin 2016 ushtria shqiptare, Ministria e Mbrojtjes ka bërë një gjyq tërësisht fiktiv, ku ka marrë rreth 25 mijë metra katrorë pronë, në të cilën kanë ndërtuar 9 familje të Himarës, midis tyre edhe vetë Barba.

Ai thotë që gjyqi është zhvilluar sikur aty nuk ka asnjë ndërtesë, por është pyll, dhe nuk ekzisotn asnjë pronë.

Ministria e Mbrojtjes kërkon të marrë sipërfaqen prej 43 mijë metrash katrorë, së bashku me Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve, për t’ia dhënë sipas banorëve, dikujt që është afër me qeverinë.

Barba Bala vuri në dispozicion për gazetaren e “DurrësLajm” edhe disa dokumente për çështjen në fjalë.

Gjatë aksionit që ka nisur sot, pritet që rreth 10 objekte të prishen nga IKMT, ndërsa të gjithë banorët shprehen se janë me dokumente dhe po i nxjerrin me dhunë nga banesat e tyre.

Ndjekim prononcimin e Barbës dhënë për gazetaren e “DurrësLajm”.