Është shoqëruar me tensione dhe përplasje fizike me policinë protesta e banorëve të zonës së ‘Astirit’ në kryeqytet. Në ditën e 16 të protestës së tyre banorët shprehen se do të mbrojnë shtëpitë e tyre, të cilat do të prishen për t’i hapur rrugë projektit të Unazës së Madhe.

Banorët kanë hequr rrethimin në hyrje të Unazës së Re, por policia nuk i lejon të bllokojnë sheshin. Tensionimi i situatës ka ardhur pas pretendimeve se disa banorë janë shoqëruar në komisariatin e policisë. Pas disa minutave, situata është normalizuar por banorët shprehen se nuk do të dorëzohen.

Me thirrje kundër qeverisë dhe kryetarit të bashkisë Erion Veliaj kanë kërkuar dëmshpërblim 100% të pronave të tyre. Deputetë të opozitës ndodhen sërish pranë protestuesve që kanë hedhur dhe kapsolla e fishekzjarrë.

“Shtëpitë tona janë me gjak”, kanë thirrur banorët. “O Erion o legen, prite popullin se po vjen”, “Erion Veliaj këtu vendosim ne”, “Edi Rama o legen, shtëpitë tona nuk i shemb”, “Poshtë qeveria e korruptuar” kanë qenë disa nga parullat e banorëve në protestë.