Apeli i Gjykatës së Tiranës ka liruar nga qelia, Ergys Kolaveri, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me 20 vite burgim për atentatin me snajper ndaj Gazmir Daçit në burgun e Vaqarrit, të mbetur në tentativë pasi nuk u qëllua në shenjë duke lënë të plagosur një tjetër të burgosur.

Kolaveri ishte dënuar me 20 vite burgim, nga 30 vjet heqje lirie që kishte kërkuar prokuroria në atë kohë për atentatin e dështuar me snajper, por avokati i Kolaverit, Saimir Visha e apeloi vendimin e shkallës së parë.

Në kushtet kur ka kaluar afati i paraburgimit, pasi dënimi me 20 vite nuk është i formës së prerë, gjyqtari i Apelit Tiranë, Shkëlqim Mustafa vendosi këtë 16 janar, të nxjerrë nga burgu Kolaverin. Masat e marra ndaj tij në seancën e sotme, janë “arrest shtëpiak” me mbikëqyrje elektronike dhe me policë 24 orë pranë shtëpisë.

Sipas avokatit të Kolaverit, Saimir Visha, më 30 dhjetor është dorëzuar në Gjykatën e Apelit kërkesa për të ndryshuar masën e sigurisë, pasi ka kaluar afati i paraburgimit.

Ergys Kolaveri qëndron në qeli prej rreth 4 vitesh dhe prokuroria nuk ka mundur të mbyllë hetimet, thotë avokati Visha. Sipas avokatit, Ergys Kolaveri ende nuk është i dënuar me vendim të formës së prerë dhe vazhdon gjykimi në themel.

Në 30 korrik të 2016-ës, një atentat me snajper iu bë Gazmir Daçit brenda burgut të Vaqarrit. Kolaveri ishte vendosur në një distancë të largët në kodër në ambientet e jashtme të burgut dhe priti derisa Gazmir Daci doli në ajrim për ta qëlluar me snajper. Por plumbi nuk ka kapur Daçin, por një të dënuar nga Kosova.

Atentati dyshohet të jetë bërë për motive hakmarrje, pasi Gazmir Daçi ka vrarë Gazmir Kolaverin dhe ka plagosur Robert Kolaverin, të dy vëllezër të Ergys Kolaverit. /Shqiptarja.com