Moti i keq ka përfshirë Durrësin mesditën e kësaj të marte. Pas reshjeve të shiut që nisën gjysmë ore më parë, moti është përkeqësuar me stuhi të forta ere dhe reshje të dendura.

Kthesa e motit ka vështirësuar qytetarët që i ka zënë papritur në rrugë.

Drejtoria e Përgjithshme Detare njoftoi më herët sot për përkeqësim të motit, që do të zgjasë deri ditën e mërkurë.

“Në datën 12-13 nëntor 2019 moti do të përkeqësohet. Bregdeti ynë do të përfshihet nga era me drejtim jug-lindje me shpejtësi deri në 40 nyje dhe forca e detit do të jetë 7 shkalla Boufort.

Zonat me mot më të përkeqësuar do jetë Kanali i Otrantos dhe Gjiu i Vlorës. Pritet që deri në mesnatën e ditës së mërkurë era dhe deti të kenë të njëjtin intesitet duke përfshirë gjithë bregdetin shqiptar. Pas mesnatës së ditës së mërkurë parashikohet një rënie graduale e forcës së erës dhe detit”, bën me dije DPD.

Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, Drejtoria e Përgjithshme Detare kërkon bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gadishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.