Pasi hapi dyert dhe zemrat për një strehë të sigurt për qytetarët shqiptarë të prekur nga tërmeti tashmë qeveria e Kosovës është mobilizuar për kthimin e tyre në Shqipëri.

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj iu ka bërë thirrje të gjithë komunave që kanë strehuar qytetarë shqiptarë të organizojnë transportin për rikthimin e të zhvendosurve.

POSTIMI I PLOTË

Kosova ka hapur dyert dhe zemrat, për t’i strehuar dhe ndihmuar gjithë bashkëkombësit tanë, pas tërmetit me pasoja tragjike që preku Shqipërinë.

Tani pas kësaj faze emergjente të përkrahjes dhe akomodimit, ne po hyjmë në një fazë tjetër, të rikthimit të të gjithë banorëve të Shqipërisë në vendlindjen e tyre.

Përkitazi me këtë proces, ne kemi vënë në dispozicion transport për rikthimin e të zhvendosurve, por sot kërkojmë që në këtë etapë të rikthimit vullnetarë të përfshihen edhe të gjitha Komunat, ku ka të strehuar, duke vënë në dispozicion mekanizmat e tyre, numër kontakti, Drejtorit e emergjencave dhe transportin.

Secili qytetarë, meriton një kthim të dinjitetshëm dhe Institucionet tona e kanë për obligim, ta garantojnë dhe të respektojnë këtë të drejtë.

Zyra e Kryeministrit, do të jetë në gjendje gatishmërie për çdo kërkesë eventuale të ndihmës, qoftë për Komunat tona, qoftë për autoritetet shqiptare.

Po nesër, të gjitha ndihmat e grumbulluara nga qytetarët tanë në Kazermën e FSK-së në Prizren, do të dërgohen nga Ushtria jonë, në mënyrë institucionale, në depot e rezervave shtetërore të Shqipërisë.

Kosova do të vazhdojë të jetë në gjendje gatishmërie, për çdo ndihmë të kërkuar, për popullin e Shqipërisë.

RH