“Sot Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të nxjerrë fituesit për dy pallatet në Durrës. Që nga sot kemi një bashkim operatorësh që do të dalin nga ky proces. Do të nisin punën për pallatet që javës që vjen, do nisin me themelet”, tha ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj gjatë ditës së sotme.

DurrësLajm mëson se dy pallatet e para nga të cilat do të nisë rindërtimi i banesave kolektive në qytetin bregdetar janë pallati në Bulevardin “Dyrrah”, (i njohur ndryshe si i Vipave) dhe pallati pas Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës.

Gjatë ditës së sotme pritet të zbardhen më tej edhe detaje të tjera mbi këtë proces të shumëpritur nga qytetarët e Durrësit. Prej 10 muajsh, qytetarët, banesat e të cilave u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit, janë në pritje të nisjes së rindërtimit të pallateve të shembura, për të cilët është premtuar se do të ndërtohen në të njëjtin vend, përveç godinave ku ka pasur viktima.

Ndërkohë, të tjerë banorë janë në pritje të përgjigjes përfundimtare për fatin e pallateve të tyre të dëmtuara rëndë.

Ndryshe nga kryeqyteti, ku atje procedurat e tenderimit i kryen vetë bashkia, në Durrës, i gjithë procesi realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, duke e përjashtuar institucionin e qeverisjes vendore nga ky proces.