Akademia e Shkencave mblodhi në një konferencë në Tiranë ekspertë dhe akademikë nga rajoni ku u diskutua ndër të tjera përpilimi i kodit të ri teknik për ndërtimet, në mënyrë që t’i rezistojnë forcës së tërmetit ashtu siç e kanë gjithë vendet europiane.

Profesori i mirënjohur i gjeologjisë në universitetin e Selanikut, Spiros Pavlidesi bën thirrje qeverisë tonë të miratojë hartën e re sizmike pas tërmetit te 26 nëntorit.

“Shqipëria është një nga vendet më sizmike të rajonit. Nuk mund të bëhen parashikime për tërmetet por në bazë të statistikave, çdo 30 vjet në Shqipëri ndodh një tërmet i fuqishëm. Duhet të ndërmerren hapa shkencore dhe ligjore në mënyrë që qëndrimet e reja të jenë të qëndrueshme.Në Greqi ne kemi një nga kodet më të mira sizmike, sepse ishin tërmetet që na detyruan ta realizonim. Si dhe çdo 5 vjet e ndryshojmë atë sepse ka gjetje të reja. Edhe ju këtu fillimisht duhet të merrni hapat shkencorë që kanë të bëjnë me gjeologjinë, sizmikën, ndërtimet në mënyrë që këto të dhëna të kthehen në ligje për shtetin duke mundësuar kështu ndërtime të qëndrueshme“, thotë ai.

Ndërkohë që të gjithë sizmiologët qetësojnë shqiptarët se një tërmet me atë magnitudë nuk ka për të ndodhur për një kohë të gjatë. Me këtë forcë Durrësi e ka patur në vitin 1926, deri në 2019 bëhen 93 vite që do të thotë duhen gati një shekull për të shpërthyer një energji të tillë.

Tërmeti i 26 nëntorit, ishte nga më të fortët që ka ndjerë zonat e Durrësit, Tiranës, Laçit e Lezhës. Sizmiologet thonë se është një termet që bie një herë në shekull. Detyrë shumë e rëndësishme ne këto momente eshtë që ndërtimet në vendin tonë të përballojnë këtë dukuri natyrore.