Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ftuar në studion e emisionit “Open” të gazetares Eni Vasili, ka vijuar me akuzat ndaj ish-kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha.

Ai e konsideroi atë si një gërmadhë dhe fosil politik, ndërsa shtoi: “Unë nuk dëshiroj që të përfshihem në debate të politikës elektorale duke marrë parasysh në çështjen e Kosovës. Ajo që dua të them që roli i Shqipërisë për Kosovën ka qënë jetik. Sa i përket Sali Ram Berishës, ndjej shumë keqardhje kur e shoh në këtë gjendje dhe në këtë fund politik. Nuk do t’ja dëshiroja një përfundim të tillë”.

Thaçi hodhi një akuzë të fortë ndaj Berishës, ku tha se ai nuk e ka dashur asnjëherë pavarësinë e Kosovës.

“Sali Ram Berisha që kur e kam njohur ka qenë për një autonomi kulturore të Kosovës nën Serbinë. Ai nuk e ka dashur pavarësinë e Kosovës. Ai ka qenë një argat i Millosheviçit. Ai e ka quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si organizatë terroriste”,tha Presidenti i Kosovës.

Po ashtu ai u shpreh se Berishën e ka ndihmuar edhe në fushatë elektorale, për çka tha se nuk pendohet. Sipas tij kishte ardhur për të inauguruar tunelin e Kalimashit, por përfundoi në një miting elektoral.