Një pllakë përkujtimore është vendosur sot në portin e Barit, Itali kushtuar të riut nga Durrësi Florian Mesuti, i cili u vra më 26 gusht 2014, ndërsa po tentonte të mbronte një nënë dhe djalin e saj nga sulmi i një grupi djemsh në lagjen Libertà.

Në ceremoninë e organizuar nga autoritetet barese merrnin pjesë nënkryetari i bashkisë Durrës, Florian Tahiri dhe prefekti i qarkut, Roland Nasto. Gjithashtu, të pranishëm ishin edhe konsullja e përgjithshme e Shqipërisë në Bari, Gentiana Mburimi dhe presidenti i autoritetit portual Ugo Patroni Griffi, raportojnë mediet lokale.

Teksti i pllakës, i hartuar nga kinoregjisori i shquar shqiptar Piro Milkani, është përkthyer në italisht nga Alma Hado, profesore e studimeve italiane: pllaka eshte në dy gjuhë (shqip dhe Italisht) për të kujtuar lidhjen e thellë midis popullit shqiptar dhe qytetit të Barit në një vend zbarkimi dhe nisjeje midis dy brigjeve të Adriatikut.

Në pllakë shkruhet:

Nuk gjen dot fjalë për gjestin tënd të dashurisë për jetën, duke mbrojtur të pambrojturit dhe të dobëtit. Ti je tashmë një ambasador i paqes në këtë botë të mbushur me urrejtje, intolerancë dhe absurditet.

Bekuar qofshin prindërit që të vunë këtë emër të bukur, Florian! Ti je një Flori i çmuar me gjestin tënd sublim.

Ndërsa kryebashkiaku Decaro shpjegoi gjatë ceremonisë se “pllaka përkujtimore u vendos në portin e Barit, pasi këtu Flori ka zbritur për herë të parë në qytet. Këtu, në këtë bankinë, ku kanë zbarkuar ëndërrat dhe këmbët e mijëra të rinjve si Flori, ne duam të lëmë një gjurmë humaniteti. Detit, të njëjtit det që solli Florin në tokën tonë, të njëjtit det që për shekuj ka shënuar fatin e qytetit tonë, ne i besojmë kujtimin e kësaj viktime të re, që humbi jetën prej dorës së mafias”.