Kryeqyteti do të ketë mungesë të furnizmit me ujë gjatë fundjavës. Ujësjellës-Kanalizime Tiranë njofton se për shkak të punimeve për lidhjen e tubacionit të ri 10 kilometra, duke filluar nga orët e para të mëngjesit të së shtunës (6 Qershor), do të ndërpritet furnizimi përgjatë gjithë ditës, por edhe gjatë të dielës, për të gjithë Tiranën.

Për këtë arsye, qytetarët duhet të marrin masat për të menaxhuar ujin në depozitat e pallateve apo dhe në ato personale.

“Njoftojmë qytetarët e Tiranës se gjatë ditës së Shtunë, dt. 06.06.2020, është parashikuar kryerja e punimeve për lidhjen e linjës me ujëmbledhësin dhe Impiantin e Bovillës. Për këtë arsye, kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë banorëve për kufizimet e furnizimit me ujë, që do të ndodhin gjatë kësaj fundjave. Punimet do të fillojnë që në orët e para të mëngjesit, duke angazhuar në terren të gjithë stafin e ekspertëve të UKT-së, në mënyrë që të sigurojmë finalizimin në kohë rekord të tyre, me qëllim normalizimin sa më shpejt të furnizimit me ujë”, thuhet në njoftimin e UKT-së.

Shkak i ndërprerjes së furnizmit me ujë do të jenë punimet që do të kryhen në linjën e re të transmetimit që lidh ujëmbledhësin e Bovillës me impiantin e trajtimit të ujit.

Linja e re 10 kilometra që do të lidhet, pritet të dyfishojë sasinë e ujit që shkon për trajtim në impiantin e Bovillës, e për rrjedhojë do të rritet furnizimi me ujë në pjesën më të madhe të Tiranës.

Ndërkohë, UKT thotë se pavarësisht punimeve që do të kryejë, ka marrë të gjitha masat për furnizimin me ujë gjatë fundjavës për institucione të rëndësisë së veçantë si spitalet, urgjenca mjekësore, burgjet etj.