Një tjetër tërmet i fuqishëm me magnitudë 4.3 ka goditur Durrësin, kryeqytetin dhe zonat përreth pas mesnatës së të enjtes.

Sipas Qendrës Sizmologjike Europiane të Mesdheut, epiqendra e tërmetit ka qenë në Adriatik, 29 kilometër në veriperëndim të Tiranës dhe 14 kilometër në veriperëndim të Vorës, në një thellësi prej 2 kilometrash.

Lëkundjet e forta u ndjenë në orën 00:49 të së premtes.

Shqipëria u godit të mërkurën nga një tërmet me magnitudë 5.1 ballë me epiqendër në Gjirin e Lalzit. Në 24 orët pasuese ekspertët e sizmikës kanë regjistruar mbi 400 pasgoditje dhe parashikimet flasin për të tjera lëkundje deri në shuarje të vatrës, ç’ka sipas tyre mund të zgjasë 2-3 ditë.