Skemat mashtruese për përfitime të sipërfaqeve të tokave në bazë të ligjit 7501 vazhdojnë të zbulohen edhe një çerek shekulli nga koha e aplikimit të këtij ligji. Një nga skemat e zbuluara së fundmi nga organi i akuzës së Tiranës është edhe ajo e ish-përgjegjëses së Kadastrës në Këshillin e qarkut të Tiranës, Henrieta Hyka, e cila tashmë është dërguar në gjykatë si e pandehur.

Nga hetimet e kryera, prokuroria dyshon se e pandehura, duke shfrytëzuar pozicionin që kishte, ka falsifikuar një sërë dokumentesh, duke u dhënë sipërfaqe të konsiderueshme toke në komunën e Kasharit, në bazë të ligjit 7501, personave të afërm të saj të cilët nuk përfitonin nga ky ligj.

Falsifikimi me metrat katrorë

Hetimi ka konstatuar se është falsifikuar edhe sipërfaqja e tokës ku nga 500 m2 që ishte fizikisht, në letra është shënuar si 4.500 metra katrorë, duke i shtuar përpara numrin 4. Sipas prokurorisë, ish-përgjegjësja e Kadastrës, duke patur dijeni mbi gjendjen e tokave u ka dhënë të afërmve të saj sipërfaqe toke edhe pse nuk ishin banorë të zonës ku ishte toka, në komunën e Kasharit dhe as nuk kanë qenë punonjës të ish-kooperativave apo fermave bujqësore.

Më pas, toka që i ishte flasifikuar pronësia shitej te persona të tjerë, sërish të afërm të Henrieta Hykës dhe në fund, pas dy-tre shit-blerjesh fiktive lëshohej një prokurorë që i jepte të drejtën Hykës të kryente veprime të tjera, duke ia dhënë tokën personave për ndërtime apo qëllime të tjera.

Përqindja në ndërtime

Gjithë kjo skemë, sipas prokurorisë bëhej që e pandehura të fshinte gjurmët. Fillimisht kjo skemë dyshohet se është zbatuar nga dy firma ndërtimi, të cilave e pandehura iu ka kërkuar përqindje të ambienteve të ndërtimit më shumë sesa sipërfaqja e tokës që u kishte vënë në dispozicion. Më pas prokuroria arriti të zbulojë mekanizmin dhe aktualisht, Henrieta Hyka është duke u gjykuar në Gjykatën e Tiranës për akuzën e “pastrimit të produkteve të veprës penale”, shkruan sot "Shqiptarja.com".