Në pikun e sezonit turistik të gjithë lëvizin për t’u relaksuar, por trafiku i rënduar që hasin gjatë udhëtimit kthehet në një sfidë dhe lodhje të vërtetë për përdoruesit e rrugës.

Në segmentet që lidhin zonat turistike në Durrës, trafiku kryesisht në fundjavë mbetet mjaft shqetësues.

Radhë të gjata kilometrike dhe qëndrim për disa minuta të bllokuar në rrugë, është ajo çka konstatohet thuajse në të gjitha segmentet rrugore.

Përballë dyndjes së madhe të automjeteve, policia rrugore, e cila që prej fillimit të sezonit ka kaluar në shërbim të përforcuar, këshillon përdoruesit e rrugës.

Shefi i qarkullimit në Durrës, Valentin Floriri, thotë se drejtuesit gjatë fundjavës duhet të bëjnë kujdes më orarin kur nisin udhëtimin, ndërsa duhet të përdorin autostradat më shumë se sa rrugët dytësore për të shmangur radhët e gjata. Rrugët më problematike me dyndjen më të madhe të automjeteve mbeten: Maminas-Gjiri i Lalzit dhe anasjellas; rruga dytësore Plepa-Golem; si dhe rruga e Plazhit “Pavarësia”.

Keto segmente, policia apelon që të shmangen, duke këshilluar përdorimin e rrugëve alternative siç është autostrada Durrës – Kavajë, Unaza e Shkozetit apo edhe rruga e vjetër Manëz-Sukth, për automjetet që lëvizin nga Gjiri i Lalzit.

Policia e Qarkullimit është në rrugë por në fokus të veçantë të kontrolleve të veçanta janë shpërndarësit e ushqimve të shpejta, motoristët e picave e të fast food-eve për zbatimin e rregullave të qarkullimit.

K.H.