Projekti me vlerë rreth 285 milionë lekë dhe i financuar nga qeveria dhe ministria e Financave synon t’i japë një pamje komplet ndryshe shëtitores “Taulantia”, në Durrës. I nisur disa muaj më parë, projekti synon ta kthejë të gjithë këtë pjesë të vijës bregdetare në një hapësirë me mundësi argëtimi për të gjitha grupmoshat në Durrës si dhe për vizitorët dhe turistët e huaj.

Deri tani janë realizuar në terren rreth 20% e volumit të punimeve, ndërkohë që kanë përfunduar në masën 80% punimet për mbrojtjen detare.

“Punimet për mbrojtjen detare kanë përfunduar në masën rreth 80%, ku përfshihet ndërtimi i murit në zonën 2 dhe shkallareve dhe trarëve b/a në zonën 1, si dhe mbushja me gurë në det në zonën 1 dhe 2. Gjithashtu janë kryer një pjesë e punimeve të gërmimit dhe mbushjes në zonën 1 dhe 2 dhe heqja e pllakave të trotuareve ekzistues”,- bën të ditur drejtoresha e Shërbimeve në bashki, Emirjana Sako për DurrësLajm.

Punimet që po kryhen nga firmat konttraktuese u inspektuan pak ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se investimi që po realizohet përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit synon ta transformojë të gjithë këtë zonë, duke filluar nga muri i portit të peshkimit e deri tek Sfinksi.

Projekti i hartuar nga kompania Erald-G shpk parashikon edhe mbjelljen e rreth 7000 pemëve dhe shkurreve dekorative përgjatë gjithë gjatësisë së shëtitores bregdetare. Sipas projektit, pemët ekzistuese nuk do të hiqen, por do të integrohen në ndryshimet që do të pësojë e gjithë zona në fjalë.

Sipas drejtoreshës Sako, aktualisht po realizohen “ndërtimet konstruktive, ato që i japin formë projektit. Mbjellja e pemëve do të bëhet në një moment të posaçëm e të favorshëm për bimësinë, pas përfundimit të punimeve ndërtimore”.

Ndërkohë, Dritan Agolli, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, deklaroi gjatë inspektimit të kryeministrit Rama në këtë projekt se rreth 30 mijë metra katrorë sheshe do të sistemohen deri vitin e ardhshëm.

“Projekti përfshin rreth 1 km vijë bregdetare, përfshin sistemimin e rreth 30 mijë m2 sheshe dhe ndërtimin e  shkallareve deri në det. Projekti përfshin dhe rreth 20 mijë m2 sipërfaqe te gjelbëruar, mbjelljen e  rreth 500 pemëve dhe rreth 6500 shkurreve dekorative, fusha sportive, kënde lojërash, parkim”,- tha Agolli.

M.B.