Ashtu si në gjithë vendin, edhe në Durrës prej disa ditësh transporti urban ndërqytetas rinisi punën pas pothuajse 4 muajsh shkëputje për shkak të pandemisë.

Anëtarë të Shoqatës Kombëtare të Transportit të udhëtarëve ndërqytetas në Durrës thanë para mediave se janë rikthyer të gjithë në punë për t’u shërbyer qytetarëve duke respektuar protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndonëse vijojnë punën pavarësisht thirrjes së një pjesë të operatorëve për ta ndërprerë deri në lehtësimin e protokollit të lëvizjes, në kushtet e pandemisë në të cilën po ushtrojnë aktivitetin e tyre, duket se Shoqata po has vështirësi.

“Gjendja në fakt nuk është e mirë, nuk është aty ku duhet por shpresojmë të përmirësohet me kalimin e kohës. Punën tonë mund ta ndalojë ose qeveria ose koronavirusi”, thotë një anëtar ndërsa shprehet se këto ditë kanë pmunuar me shumë humbje dhe për këtë kërkojnë ndihmë nga shteti.

“Ne jemi detyruar të bëhemi policë brenda autobusit tonë“, thotë një tjetër anëtar ndërsa ngre shqetësimin e konkurrencës së pandershme me të cilën po përballen në këtë situatë.

“Konkurenca e pandershme po na sulmon.”