Tre persona kanë humbur jetë 24 orët e fundit, nga të cilët edhe një 44-vjeçare nga Durrësi.

“Fatkeqësisht, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 3 qytetarë e kanë humbur betejën me Covid19 në 24 orët e fundit. Një 44-vjeçare nga Durrësi, një pacient 71-vjeçar nga Tirana dhe një pacient 85-vjeçar gjithashtu nga Tirana. Të 3 pacientët kishin disa sëmundje bashkëshoqëruese dhe nuk kanë mundur dot të mbijetojnë për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore, pavarësisht trajtimit intensiv nga stafi mjekësor”, informoi sot MSH gjatë përditësimit të të dhënave.

Sakaq, vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 79 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 3 janë të intubuar.

Ndërkohë kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP dhe gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 371 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19, nga të cilat janë konfirmuar 69 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 23 raste në Tiranë, nga 10 raste Durrës, Krujë, 6 në Vlorë, 5 në Mat, nga 4 raste në Kurbin, Kamëz, nga 2 raste në Shkodër, Fier, Kavajë, 1 në Lushnje.