Dezinfektimi i tregut të fruta-perimeve në Durrës do të vazhdojë edhe ditën e nesërme, ndërkohë që vetëm nga data 1 prill ai do të rihapet për tregtarët dhe qytetarët. Edhe të martën, qytetarët durrsakët do të duhet të furnizohen me fruta e perime pranë dyqaneve të lagjeve, pasi tregu nuk do të jetë funksional. Pasditen e sotme, kryebashkiaku Xhuljen Varfaj ka zhvilluar një takim me përfaqësues të tregut dhe drejtorin e Policisë Bashkiake për të vendosur mbi mënyrën e funksionimit të tij në ditët në vijim.

Tregu pritet të hapet më 1 prill, por këtë radhë do të respektohen rigorozisht distancat mes tregtarëve dhe qytetarëve. Sipas administratorit të tregut, Edlir Çerri, nga dita e nesërme, tregtarët do të njihen me grafikun e ri të punës, pasi secili prej tyre do të punojë një ditë po dhe një ditë jo. Në këtë mënyrë do të respektohet rigorozisht distanca e kërkuar mes tregtarëve, ndërsa e njëjta gjë do të kërkohet edhe nga qytetarët durrsakë, që do t’i drejtohen tregut agro-ushqimor për të bërë blerjet e nevojshme.

Njëkohësisht, nga dita e nesërme do të nisë puna për sistemimin e tregut të improvizuar tek shkolla “Leonik Tomeo”.

“Pikë së pari do të bëhet dezinfektimi i vendit dhe do të nisë vendosja e tendës. Më pas, në këtë treg të improvizuar do të sistemohen banakët që nuk janë funksionalë në tregun aktual. Po mendojmë për vendosjen e një tualeti portabël, ndërkohë, meqë shkolla “Leonik Tomeo” është aty pranë, mendojmë që tregtarët të furnizohen me ujë në ambientet e saj. Jemi në kushte lufte dhe do na duhet të përshtatemi”,- tha administratori Çerri për DurrësLajm.

Ndërsa përsa i përket dy tregjeve të improvizuara që bashkia e Durrësit ka menduar të krijojë në vendparkimet para Muzeut të Dëshmorëve dhe shkollës artistike “Jan Kukuzeli”, Çerri thotë se në ditët në vijim do të vijohet me sistemimin e tyre.

Paraditen e sotme, disa tregtarë u spostuan para Muzeut të Dëshmorëve, pavarësisht se ambienti aty nuk ofronte asnjë kusht higjieno-sanitar.

Mëngjesin e sotëm, tregtarët e tregut të fruta-perimeve zhvilluan një protestë, pasi, sipas tyre, ata nuk ishin lajmëruar për mbylljen e tregut dhe si çdo ditë ata u paraqitën në vendin e tyre të punës, pas karantinës 40 orëshe.

Tregtarët theksuan se nëse bashkia do ta mbyllë tregun, atëherë ata mund të qëndrojnë në shtëpi dhe qeveria t’u paguajë 26.000 lekë të reja në muaj, deri në rinisjen e aktivitetit.

Ditën e shtunë, u vu re një grumbullim i madh qytetarësh në treg dhe pavarësisht apeleve të vazhdueshme, ata nuk respektonin distancat e kërkuara si masë parandaluese ndaj Covid-19.

Kjo gjë detyroi kreun e Këshillit Bashkiak, Ani Dyrmishi dhe kreun e Policisë Bashkiake, Vasip Çopa, që të zbrisnin në terren dhe të komunikonin personalisht me tregtarët dhe qytetarët që nxitonin të bënin blerjet e nevojshme para nisjes së karantinës 40 orëshe.  

M.B.