“Sivjet pritet të jetë një sezon shumë më i mirë sesa vjet. Vaksinimi masiv është një faktor shumë pozitiv lidhur me turistët që do të vijnë në Shqipëri për të pushuar”.

Administratori i AlbTours D, Edmond Basho duket mjaft optimist për sezonin turistik që po afron. Vaksinimi masiv dhe fakti që këto ditë Shqipëria doli nga harta e vendeve të ngjyrosura me të kuqe për përhapjen e pandemisë janë sinjal pozitiv. Turistët e sivjetshëm pritet të jenë kryesisht nga Çekia, Polonia, Ukraina etj.

“Pritet të ketë një përsëritje të ardhjeve që kanë qenë përpara sesa të fillonte pandemia, që janë vendet e Lindjes Çekia, Polonia, Ukraina etj që janë furnitorët për turistët e huaj. Ndërsa për tregun perëndimor ende nuk mund të themi ndonjë gjë të saktë sepse gjithçka do të varet nga kushtet që shtetet e tyre do t’i vendosin lidhur me udhëtimet turistike jashtë BE-së”.

Basho thotë se eksperienca e mirë e krijuar në Durrës në vitet para nisjes së pandemisë i ka bërë operatorët e huaj ta shohin Shqipërinë si një vend mjaft interesant dhe ata janë të gatshëm të risjellin klientelën e tyre tek ne.

“Të gjithë operatorët e huaj që kanë punuar me Shqipërinë përpara pandemisë janë të gatshëm të rifillojnë bashkëpunimin, në momentin e parë që shtetet e tyre të lejojnë turistët të dalin jashtë për të pushuar. Jemi pak a shumë në të njëjtën kërkesë si më përpara, janë të njëjtët operatorë që punojnë. Tashmë ata, duke e njohur shumë mirë tregun shqiptar nuk kanë më arsye që të ndalojnë ose të mendohen për të rifilluar me tregun tonë. Ata presin vetëm dritën jeshile të hapjes së mundësisë për të pushuar në Shqipëri”.

Pandemia na bëri të zbulojmë Shqipërinë, por Basho beson se nëse gjatë verës do të mund të udhëtojmë lehtësisht jashtë, një pjesë e madhe e shqiptarëve do t’i kalojnë pushimet në vendet e tjera.

“Tregu është pak i etur për të dalë jashtë vendit dhe nëse do të ketë hapje të kufijve një pjesë e madhe e tyre do të pushojnë jashtë shtetit”.

Kufizimet e pandemisë kanë bërë që Kosova të ishte gjatë këtij viti vendi më i vizituar nga shqiptarët.

“Ka pasur shumë kufizime sivjet dhe mund të them që Kosova ka qenë vendi më i preferuar. Maqedonia dhe Mali i Zi kanë qenë shumë të kufizuara kështu që nuk kanë arritur dot të thithin klientelë nga ne. Ndoshta i kemi kthyer Kosovës një “kusur” për atë që ata na japin gjatë verës”,– thotë Basho.

E ndërsa pandemia po duket sidomos gjatë muajve të fundit si një kujtim i largët, sektori i turizmit shpreson që të nisë rimëkëmbjen, pas goditjes së fortë që mori nga tërmeti dhe pandemia. Gjithsesi, sipas Bashos, rikthimi në nivelet e vitit 2019, që konsiderohet nga operatorët si më i suksesshmi ndër vite, do të kërkojë kohë.

“Sezoni i 2019-ës besoj se do të kërkojë kohë, që të arrihet. Janë disa arsye; e para hotelet janë të detyruar të punojnë me një kapacitet të kufizuar për shkak të rregullave në fuqi dhe e dyta, tregu i huaj nuk është ende i gatshëm të furnizojë me 100% të kapaciteteve që ata kanë furnizuar dy vite më parë”.

M.B.