Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, flet për herë të parë për aksidentin e djeshëm në autostradën Tiranë-Durrës, ku makina me të cilën ai udhtonte u përplas me një makinë policie.

Kurti ka treguar mbrëmjen e sotme se aksidenti kishte qenë “nyje” e një zinxhiri përplasjesh e cila nisi me makinën e policsë me një makinë tjetër, më pas me atë të Kurtit dhe në fund një mjet tjetër që u kishte ardhur nga pas. Kreu i Vetëvendosjes ka pohuar se nga përplasja ka lënduar vetëm brrylin.

“Ishim duke udhëtuar për në Tiranë për të festuar fitoren. Para nesh kishim një makinë policie, e cila goditi një makinë tjetër. Ne goditën makinën e policisë dhe makina pas nesh na goditi. Gjithsesi nuk pësuam lëndime. Unë kam dëmtuar vetëm pak brrylin, por duke qenë se unë nuk jam njeri i brrylave kjo nuk është problem”,- është shprehur Kurti në Syri.net.