Pak orë pas arrestimit nga policia e Elbasanit, pedagogu i Universitetit të Elbasanit, Denis Himçi, ka përfunduar në spital për shkak të gjendjes shëndetësore. Ai është shtruar mbrëmjen e së mërkurës, 18 shtator, në një spital në Tiranë. Pedagogu mësohet se ka pasur tension të lartë dhe po kryen vizitat përkatëse.

36-vjeçari pedagog pranë Fakultetit Ekonomik, u ndalua nga policia me akuzën se ka kërkuar favore seksuale nga një studente në këmbim të notës kaluese në provim. Ai akuzohet për veprat penale "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm" dhe "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike".

Rektorati i Universitetit të Elbasanit ndërkohë në një reagim njoftoi pezullimin nga detyra të pedagogut Denis Himçi deri në zbardhjen e plotë të çështjes ndërsa shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë. Universiteti i Elbasanit shpreh qëndrimin e tij zyrtar se distancohet ndaj çdo sjellje të ulët dhe të padenjë që cenon figurën e personelit akademik dhe imazhin e këtij institucioni të arsmit të lartë.

Nga ana tjetër fenomeni i kërkimit të favoreve seksuale nga studentët duket se ka një përhapje të gjerë në vend. Sipas një publikimi të kohëve të fundit nga Komiteti Shqiptar I Helsinkit, një në katër studentë ka pranuar se ka pasur kërkesa për favore seksuale.