Ka mbërritur këtë paradite në radën e portit të Durrësit, anija “Envi 1”, afro 1 muaj e gjysmë pasi u bllokua në Libi.

Sipas informacioneve, mësohet se kanë mbërritur shëndoshë e mirë të 5 marinarët shqiptarë. Aktualisht anija është në radë dhe po bëhen furnizimet e nevojshme si dhe po i jepet ndihma mjekësore ekuipazhit të përbërë nga 5 marinarët shqiptarë: Maliq Bushati, Avni Buzi, Artur Selimaj, Xhodet Çelaj dhe Jurgen Balla, për dy prej të cilëve raportohet se nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Pasi të marrin ndihmën e parë, anëtarët e ekuipazhit do të plotësojnë dokumentacionet përkatëse, pasi anija është vjedhur e grabitur nga rebelët dhe i mungojnë disa pajisje dhe dokumente. Do të jetë policia dhe organet kompetente që do të bëjnë kontrollin e imtësishëm në anije, si dhe do të hetojnë ngjarjen që ndodhi në Libi.

Anija është e ngarkuar me zhavorr dhe dogana do të kryejë procedurat me firmën që e kishte nisur për transportin e mallit, që sipas autoriteteve libane, po kryente transport të paligjshëm.

Si u bllokua anija në Libi

Mbrëmjen e 15 shtatorit, anija “Envi 1”, me flamur panamez e pronar shqiptar ishte nisur nga porti i Zuaras, 110 kilometra larg Tripolit me destinacion Maltën.

Në lundrim e sipër, anija është kapur nga autoritetet ushtarake bregdetare të Libisë, të cilat e kanë detyruar anijen të ankorohet pranë një tjetër porti, atij të Zauya-s, një port kryesisht karburantesh, që ndodhet 50 kilometra në perëndim të Tripolit.

Anija shqiptare e drejtuar nga kapiteni malazez Marko Markoviç u ndalua pas dyshimeve për transport të paligjshëm të materialeve të ndërtimit, përfshirë edhe rërën.

Në përbërje të ekuipazhit prej 8 anëtarësh ndodheshinn edhe 5 marinarët shqiptarë, Maliq Bushati, Avni Buzi, Artur Selimaj, Xhodet Çelaj dhe Jurgen Balla. Përveç kapitenit dhe dy drejtuesit e tjerë, oficeri i parë dhe i dytë i anijes janë shtetas malazezë.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme shqiptare, vijoi punën në të gjitha drejtimet për zgjidhjen e situatës së krijuar me 5 marinarët shqiptarë dhe për kthimin e tyre në atdhe.