Sekretari Organizativ i PD-së, Sahit Dollapi, u la i lirë mëngjesin e së hënës pas arrestimit të dhunshëm që Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë i bënë gjatë protestës së opozitës te Parlamenti.

Vendimi për lirimin nga Policia, Dollapit iu komunikua në Spitalin e Traumës ku gjendet edhe aktualisht si pasojë e dhunës së ushtruar gjatë shoqërimit. "Panorama" u interesua pranë Spitalit të Traumës në lidhje me gjendjen shëndetësore të Sekretarit Organizativ të PD-së dhe mësoi se nga Reparti i Ortopedisë, Dollapi është nën kujdesin e mjekëve në Repartin e Kirurgjisë. 

Të njëjtat burime bëjnë me dije se për shkak të frakturave të marra gjatë shoqërimit, Dollapi mund t’i nënshtrohet edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sekretari Organizativ i PDsë, Sahit Dollapi, u vizitua dje edhe nga kryetari i opozitës, Lulzim Basha. Sipas kreut të PD-së, funksionari i lartë i PD-së për shkak të plagëve të marra ka kaluar një natë pa gjumë. "Ka kaluar një natë pa gjumë për shkak të lëndimit të rëndë që ka marrë. Mjekët po e mbajnë nën kontroll", deklaroi Basha pas vizitës së Dollapit.

MJEKIMI

Sipas mjekëve të Spitalit të Traumës, Sahid Dollapi është mbajtur në observim deri në orët e mëngjesit dhe pas mjekimit të nevojshëm, pasi gjendja është stabilizuar, është dërguar në pavijon. Mësohet se ai ka pësuar dëmtim të ligamentit të gjurit në njërën këmbë dhe shembje të shpatullës. Të njëjtin fakt përmendi edhe avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, e cila në dalje nga Spitali i Traumës tha se Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike, Sahit Dollapi, i dëmtuar në një përballje me forcat e Rendit gjatë natës është në gjendje të qëndrueshme.

Ballanca tha se pas ekzaminimeve është evidentuar një shembje në shpatull dhe një lëndim në gju, por janë përjashtuar komplikacione të tjera. “Në spital vazhdon të jetë nën observim mjekësor pacienti S.D., i moshës 56 vjeç, i cili mbërriti në orën 00:30 të mëngjesit të datës 12 maj 2019, i shoqëruar nga ekipi i urgjencës paraspitalore, pasi ankonte dhimbje të gjymtyrëve. Në urgjencën e SUT u krye protokolli i plotë mjekësor.

Gjendja e përgjithshme shëndetësore rezultoi e mirë dhe jashtë rrezikut për jetën. Aktualisht, pacienti po qëndron nën përkujdesjen e mjekëve”, tha zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë. Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike është larguar nga ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës pak pas mesnatës së djeshme. Ai u dërgua në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmën mjekësore.

Partia Demokratike kërkoi lirimin e menjëhershëm të tij dhe tha se ai u dhunua nga Policia me urdhër të Lleshajt dhe Ramës. Po ashtu edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kërkoi që Dollapi të lirohej menjëherë dhe të dërgohej në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Ai u ndalua të shtunën nga Policia para Parlamentit dhe u dhunua me shkop gome nga efektivët e FNSH-së. /Panorama